Qeveria e Kosovës ka reaguar pas anulimit të mbledhjes së dy kabineteve qeveritare Kosovë-Shqipëri e planifikuar që të mbahej nesër, 14 qershor, në qytetin e Gjakovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një reagim me shkrim theksoi se nesër do të duhej të nënshkruhen 13 marrëveshje midis Kosovës dhe Shqipërisë. Ai tha se nga anulimi mbledhjes së nëntë të dy qeverive më së shumti humbasin qytetarët e të dyja shteteve.
“Mbledhjet e përbashkëta janë ndërmarrje të madhe organizative, të cilave u paraprin një punë e madhe e ministrive për të përgatitur atë ditë. Nesër do të duhej të nënshkruhen 13 marrëveshje të reja. Ato kishin synim t’i afronin ekonomitë tona, sistemet tona të drejtësisë, arsimit, kulturës etj. Janë qytetarët ata që do humbasin më së shumti. Për fat të keq, anulimi i mbledhjes nga ana e kryeministrit Rama anuloi mundësinë për t’i nënshkruar ato”, theksoi Kryeziu.
Sipas Kryeziut, takimet bilaterale të formatit të cilin e kërkoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, ku do të diskutohej aktualiteti politik “do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër”.
“Takimet bilaterale do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër. Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera e parë që do të takoheshim brenda ditës. Por, është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, u shpreh Kryeziu.
Më herët, kryeministri Rama në një konferencë të jashtëzakonshme për media deklaroi se e ka informuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se mbledhja e përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, porse Kurti nuk e ka pranuar formatin e ri të takimit me homologun Rama.
Duke iu referuar anulimit të mbledhjes së përbashkët qeveritare, Rama tha se kjo është "në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike".
Kryeministri Rama disa ditë më parë konfirmoi se presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz u ka përcjellë një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim i cili ka shkaktuar reagime në Shqipëri dhe Kosovë.
Nga ana tjetër, në një konferencë për media pas takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, kryeministri Kurti tha se nuk ka dyshim që Rama beson që propozimi i tij i draft-statutit është i mirë dhe duke qenë kështu, Kurti propozoi që Rama këtë draft-statut për pakicat kombëtare t’ia propozojë presidentit serb Aleksandar Vuçiq edhe për pakicat shqiptare në Luginën e Preshevës në Serbi.