Qeveria kroate forcon kontrollin e çmimeve për të mbrojtur konsumatorët.     Foto: HINA

Qeveria kroate ka arritur sot në një konkluzion për zbatimin e parimit të ndalimit të rritjes së pajustifikuar të çmimeve, me të cilin detyron shërbimet kompetente të intensifikojnë kontrollet e çmimeve dhe urdhëron që çmimet e pajustifikuara të kthehen në nivelet e 31 dhjetorit.

“Si përfundim, të gjitha subjektet afariste që kanë rritur çmimet e mallrave dhe shërbimeve në kundërshtim me Ligjin për futjen e euros si valutë zyrtare në Republikën e Kroacisë janë të detyruara të rishikojnë çmimet me pakicë të mallrave dhe shërbimeve të tyre në përputhje me parimet bazë, rregullat dhe ligjet. Ata duhet të vendosen më së shumti deri në çmimet e shitjes me pakicë që vlenin ditën e Vitit të Ri”, njoftoi ministri i Ekonomisë dhe i Zhvillimit të Qëndrueshëm Davor Filipoviq.

Këto masa, sipas autoriteteve kroate, janë ndërrmarë për të parandaluar një ndikim negativ te konsumatorët.

Kryeinspektori shtetëror Andrija Mikuliq në seancën e Qeverisë ka raportuar se në dy ditët e fundit janë kryer 306 kontrolle lidhur me çmimet dhe janë konstatuar 96 shkelje.

Sa i përket tregtisë, ai thotë se të dhënat paraprake tregojnë se çmimet janë rritur nga tre në 19 për qind për çokollatën, produktet e furrës, birrën, gjalpin, kosin, letrën higjienike, kafenë dhe artikuj të tjerë. Në vazhdim, sipas tij do të përcaktohet nëse bëhet fjalë për rritje të pajustifikuar të çmimit.

Në aktivitetet e shërbimit, rritja varion nga 10 në 80 për qind dhe inspektorët turistikë konstatuan 52 shkelje a rritje çmimesh, nga një në dhjetë për qind, në 151 inspektime.

Në hapje të seancës së Qeverisë, kryeministri Plenkoviq kishte paralajmëruar ndërhyrje të fuqishme të qeverisë për ata që në mënyrë të pajustifikueshme ngritën çmimet në procesin e zëvendësimit të kunës me euro, duke theksuar se rritjet e çmimeve për shkak të futjes së euros janë krejtësisht të pajustifikuara.

Ai bëri të ditur se të gjitha shërbimet do të shkojnë në terren për të “korrigjuar të gjitha këto që po i bëjnë individë të papërgjegjshëm, pa asnjë arsye”.

“Rritja e çmimeve, hedhja e hijes mbi futjen e euros dhe kontribuimi në inflacion është një praktikë e padrejtë dhe nuk do të funksionojë”, tha Plenkoviq.

Ndryshe, Kroacia nga 1 janari i këtij viti ka zëvendësuar valutën vendase kunën me atë evropiane euro.

TRT Balkan / agjencitë