Radev në Prishtinë, vlerësohen lart marredhëniet Kosovë-Bullgari.     /Foto: Vjosa Osmani/Facebook

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë është pritur me ceremoni shtetërore nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me të cilën zhvilluan edhe një konferencë të përbashkët për mediat.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova e sheh Bullgarinë si shtet mik, si partner dhe si aleat, prandaj është e gatshme me plot vullnet të bashkëpunojë në fusha të ndryshme, ndërsa shtoi se duke marrë parasysh sfidat nëpër të cilat po kalon kontinenti evropian, është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara në anëtarësimin në NATO.

“Udhëheqja e guximshme dhe veprimet vendimtare të aleatëve tanë në familje euroatlantike janë të nevojshme për të përshpejtuar pranimin e bazuar në merita të vendeve demokratike të rajonit edhe në BE, edhe në NATO, sepse çdo hezitim do të krijonte boshllëk, duke u dhënë mundësi aktorëve keqdashës ta destabilizojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe më tej”, theksoi Osmani.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, vlerësoi nivelin e lartë të dialogut politik midis Kosovës dhe Bullgarisë, derisa tha se dy vendet kanë potencial për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha si në energjetikë, bujqësi, arsim, shkencë, kulturë dhe turizëm.

“Kur flasim për integrimin, nuk mund të lejojmë që ta lëmë Kosovën vetëm në fushën e sigurisë, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për neutralizimin e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë, veçanërisht në kontekstin e komplikuar gjeopolitik në të cilin gjendemi aktualisht”, tha Radev.

Presidenti bullgar Radev tha se shteti i tij është nga vendet e para që në vitin 2008 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, derisa shtoi se shteti bullgar do ta mbështesë Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Radev gjithashtu shprehu keqardhje për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke kërkuar zbatim të të gjitha marrëveshjeve dhe arritjen e një ujdie të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.

TRT Balkan / agjencitë