Kroacia është “absolutisht në favor të njohjes së shtetit palestinez”, por vetëm kur ajo të mund të zbatohet, tha të enjten ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropës të Kroacisë, Gordan Gërliq Radman.
Ministri Grliç Radman tha të enjten se Kroacia është një "përkrahëse absolutisht e sinqertë e një zgjidhjeje me dy shtete", por se ajo duhet të jetë rezultat i negociatave midis dy palëve, prandaj është e nevojshme "ringjallja e procesit të paqes".
“Ne jemi absolutisht në favor të njohjes së shtetit palestinez, por ne duhet të përcaktojmë territorin, të gjitha ato atribute që përcaktojnë në të vërtetë një shtet, që është qeveria, domethënë simbolet, flamuri, monedha, gjithçka që në fakt përfaqëson një shtet si shtet”, tha kreu i diplomacisë kroate në një deklaratë në margjinat e festimit të Ditës së Diplomacisë Kroate.
“Çfarë do të thotë njohja nëse nuk mund të zbatohet? Duhet të kesh vullnetin politik të të dyja palëve”, ka vazhduar Gërliq Radman.
Ai theksoi se Kroacia është e vendosur të ndalojë përshkallëzimin dhe se politika e saj që nga fillimi i konfliktit ka qenë "e besueshme, e qëndrueshme dhe afirmative".
Kroacia dënoi sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit, bëri thirrje për lirimin pa kushte të pengjeve, hapjen e korridoreve humanitare dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, vuri në dukje ministri.
Në fund të majit, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën Palestinën, duke shprehur optimizmin se kjo do të përshpejtonte arritjen e paqes në Gaza. Të martën, parlamenti slloven miratoi njohjen e një shteti të pavarur palestinez, ndërsa parlamenti danez e refuzoi javën e kaluar.