Sulmet kibernetike për rajonin tashmë nuk janë të panjohura. Infrastruktura dhe shërbimet digjitale të disa vendeve në Ballkanin Perëndimor mujave të kaluar kanë qenë cak i sulmeve nëpërmjet internetit. Këto sulme zakonisht bëhen nëpërmjet lëshimit të virusave në sistemet elektronike.
Sulmet kibernetike mund të ndodhin nga individë, grupe njerëzish ose nga vetë shtetet. Një shembull se shtetet janë të përfshirë në sulme kibernetike ndaj shërbimeve publike të shteteve të tjera është rasti i fundit mes Shqipërisë dhe Republkës Islamike të Iranit. Kjo e fundit, sipas autoriteteve në Shqipëri, është përgjegjëse për sulmin kibernetik mbi institucionet publike që filloi më 15 korrik dhe një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, u regjistrua edhe të shtunën (10 shtator). Kësaj radhe objektiv ishte sistemi TIMS, i cili rregullon hyrje-daljet në Republikën e Shqipërisë dhe përbën thelbin e kontrollit kufitar të vendit.
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin
Në bashkëpunim me agjencitë e specializuara partnere të anti-terrorit digjital institucionet në Shqipëri kishin konstatuar se pas sulmit kibernetik të filluar më 15 korrik të këtij viti qëndronte Republika Islamike e Iranit. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, prapa këtij sulmi qëndruan katër grupe. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.
Si rezultat i sulmit kibernetik mbi Shqipërinë, gjegjësisht ndaj shërbimeve publike të platformës e-Albania, sivjet Ministria e Arsimit dhe e Sportit ishte e detyruar të shtyjë afatin e regjistrimeve në klasa të para dhe të dhjeta për një afat të pacaktuar. Të ndikuar nga këto sulme, Ministria e Brendshme e Shqipërisë për një kohë rihapi sportelet fizike të Gjendjes Civile.
Sulme të sofistikuara kibernetike mbi Malin e Zi
Mbi serverët e Qeverisë së Malit të Zi në gusht të këtij viti filloi sulmi kibernetik më i sofistikaur që ndonjëherë ka ndodhur në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor. Pas sulmit kibernetik mbi infrastrukturën digjitale të Malit të Zi, sipas ministrisë së Administratës Publike, qëndron grupi kriminal Kuba ransomware.
Autoritet malazeze theksuan se këto sulme përbëhen nga një kombinim i disa metodave të ndryshme të sulmeve kibernetike. Zbulimi i hershëm i sulmit i mundësoi Qeverisë së Malit të Zi që sistemet kyç të mbeten të mbrojtura.
Vlera e virusit që sulmoi sistemin kompjuterik të Qeverisë së Malit të Zi në “dark web” siç njoftuan autoritet fillonte nga 100 mijë deri në 2.5 milionë dollarë.
Institucionet e Kosovës problem me internetin
Javën e kaluar institucionet e Kosovës janë ballafaquar me probleme të kohëpaskohshme me shërbimin e internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës. Ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, njoftoi se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.
“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa uebfaqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, gjegjësisht ekipi i sigurisë kibernetike, ka ndërmarrë veprime konkrete me qëllim të tejkalimit të këtij sulmiki bernetik dhe kthimit në funksion të shërbimit tëinternetit”, tha Kryeziu.
Nuk anashkalohet Maqedonia e Veriut
Jashtë funksionit si pasojë e sulmit kibernetik nga dita e shtunë është edhe uebfaqja e ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut. Drejtuesit e ministrisë kanë njoftuar në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore punojnë në aktivizimin e ueb faqes dhe se aty nuk qëndrojnë të dhënat e qytetarëve.
Përveç këtij rasti, në Maqedoni të Veriut sulme kibernetike janë regjistruar edhe vitin e kaluar mbi Entin Shtetërore të Statistikave, në kohë kur zhvillohej procesi i regjistrimit të popullësisë në këtë shtet të Ballkanit Perëndimor.