Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia kanë paralajmëruar dërgimin e ndihmës në Maqedoni të Veriut në luftën kundër zjarreve. Të parë që u erdhën në ndihmë institucioneve në Maqedoni të Veriut ishin ekipet nga Türkiye të cilët me dy avionë të specializuar për shuajren e zjarreve dhe një helikopter tashmë i kanë kryer intervenimet e para. Në përputhje me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes Anushiq, aeroplani “Canadair” me dy ekuipazhe është miratuar për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut për të shuar zjarret, thonë nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.
“Në bazë të urdhrit të Zëvendës Presidentit të Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Ministrit të Mbrojtjes Ivan Anushiq, aeroplani Canadair CL-415 nga Forca Zjarrfikëse e Organizuar Special me dy ekuipazhe është miratuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të ofrimit të ndihmës humanitare në shuarjen e zjarreve”, thotë ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshovski, tha se gjatë ditës së sotme pritet edhe arritja e dy helikopterëve nga Sllovenia dhe nga një helikopter nga Mali i Zi dhe Serbia.
Autoritet e Serbisë, sipas Ministrit të Punëve të Brendshme Ivica Daçiq drejt Maqedonisë së Veriut pritet të dërgojnë një helikopter zjarrfikës Kamov K-32 me kapacitet 5 tonë ujë, me shtatë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, njësisë të Helikopterëve dhe një pjesëtar të Departamentit për Situata Emergjente. Komisari Evropian për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarçiq njoftoi se BE-ja, përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, mobilizoi ndihmën për t'iu përgjigjur situatës emergjente të shkaktuar nga zjarret në pyje në Maqedoninë e Veriut. Në postimin X, ai falënderoi Slloveninë, Türkiyen dhe Serbinë për reagimin e tyre të shpejtë për të ndihmuar atë vend. Ndryshe, dje Ministri turk i Bujqësisë dhe i Pylltarisë Ibrahim Yumakli shkroi se për të mbështetur luftën kundër zjarreve të vazhdueshme në pyjet e Maqedonisë së Veriut ata kanë dërguar dy avionë dhe një helikopter për të shuar zjarret.