Rajoni shënon Ditën e Evropës / Foto: Reuters

Sot festohet Dita e Evropës, 73 vjet nga deklarata e Robert Shumanit, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj që sot njihet me emrin Bashkimi Evropian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Evropës”.

Shqipëria shënon Ditën e Evropës me fokus tek të rinjtë

Në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit në Tiranë është organizuar me rastin e 9 Majit aktiviteti me fokus të rinjtë, përfitues të projekteve të financuara nga BE-ja, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë, ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së në Tiranë dhe përfaqësuesve të organizatave të ndryshme.

Ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë për negociatat me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, duke folur për procesin e integrimit evropian tha se që nga korriku i vitit të kaluar dhe deri tani kanë punuar intensivisht në procesin e parë të negociatave.

Ajo shtoi se të gjitha institucionet janë aktive dhe me profesionalizëm po avancojnë me fazën e parë të negociatave dhe theksoi se po ndërtojnë bazat për integrimin e shpejtuar të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kosova zbulon muralin e energjisë së mirë

Me rastin e 9 majit, Ditës së Evropës, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, së bashku me ministren e Ekonomisë së Kosovës, Artana Rizvanolla, zbuluan një mural të energjisë së mirë të pikturuar në murin e ndërtesës së BE-së në Kosovë.

Me atë rast, ambasadori Szunyog deklaroi se Bashkimi Evropian është një projekt paqendërtues dhe se të gjithë janë të shqetësuar se Evropa aktualisht është në një periudhë lufte. Ai tha se lufta në Ukrainë nuk prek vetëm atë vend që u sulmua nga Rusia, por edhe mbarë Evropën nga aspekti i sigurisë dhe politikës, si dhe nga aspekti i sigurisë energjetike dhe ushqimore.

Lule te “Zjarri i Përjetshëm” në Sarajevë

Me rastin e 9 majit - Ditës së Fitores mbi Fashizmin, Ditës së Evropës dhe Ditës së Zambakëve të Artë, delegacione nga nivele të ndryshme të qeverisjes në Bosnjë e Hercegovinë vendosën lule dhe nderuan në Memorialin "Zjarri i Përjetshëm" në Sarajevë.

Lulet i vendosi edhe anëtari i Kryesisë së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, i cili uroi qytetarët dhe popujt e Bosnjë-Hercegovinës për Ditën e Fitores mbi Fashizmin, Ditën e Evropës dhe veçanërisht Ditën e Zambakëve të Artë të ushtrisë së BeH-së.

"Është shumë e rëndësishme që ne të dërgojmë një mesazh jashtëzakonisht të rëndësishëm për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, përkatësisht se antifashizmi nuk është kategori ideologjike. Antifashizmi është një trashëgimi civilizuese dhe si i tillë duhet kuptuar dhe pranuar. Në këtë kuptim, ndoshta pikërisht në këto kohë në të cilat është shumë e rëndësishme të afirmohet antifashizmi si vlerë humaniste dhe qytetëruese”, tha Beqiroviq.

Manifestim në Shkup, mesazhe për ardhmërinë evropiane të vendit

Në Shkup u mbajt manifestim i nivelit të lartë për shënimin e Ditës së Evropës. Ambasadori i BE-së në vend tha se Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur për t'u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“Dita e Evropës është një vështrim drejt së ardhmes, ripërtërirje e angazhimit se çfarë Evrope duam, një Evropë vlerash dhe inovacioni, një Evropë që përfshin të rinjtë, që është konkurruese dhe elastike. Maqedonia e Veriut është në rrugë të mirë për të qenë pjesë e këtij vizioni me anëtarësimin në BE, pasi ka hapur negociatat e anëtarësimit korrikun e kaluar. Rruga është e hapur dhe detyrat janë të qarta”, theksoi ambasadori evropian David Geer në përkujtimin e 9 majit - Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës.

TRT Balkan