Rama apel emigrantëve të investojnë në Shqipëri, zero taksa për 10 vjet / Photo: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij sot në Londër, ku u takua me diasporën shqiptare në Britaninë e Madhe, u bëri thirrje shqiptarëve të investojnë në Shqipëri, në tokat dhe shtëpitë e trashëguara nga të parët e tyre.

Në fjalën e mbajtur, Rama theksoi se “i them shqiptarëve që punojnë jashtë sot në turizëm apo ndërtim, por edhe atyre që punojnë në tokat e të tjerëve, ejani në Shqipëri, jo vetëm që të merrni të ardhura ku e ku më të mira se ato që jepeshin kur ju ikët, po ku të paguani më pak taksa”.

“Çdo shqiptari të Britanisë së Madhe që e ka lënë pas një shtëpi të vjetër apo një truall në fshat, i them sot me plot gojën: Investo tek ajo shtëpi, tek ai truall, kursimet e tua”, deklaroi Rama.

“Ne jemi në fazën e konsultimit publik për të lancuar “Paketën e Maleve” që do t’i japë mundësi çdokujt që e ka një truall, një shtëpi në malet e Shqipërisë, që të mund të investojë pa pasur vështirësi e mungesë të tapisë dhe letrave të tokës, me një procedurë shumë të thjeshtë e pa taksa, asnjë taksë për 10 vjet” u shpreh Rama.

Gjatë takimit, kryeministri shqiptar gjithashtu u ndal te shqetësim i komunitetit për regjistrimin e fëmijëve.

Lidhur me këtë çështje ai njoftoi se së shpejti do të ndërmerret një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të gjithë fëmijëve të prindërve shqiptarë që u regjistruan si shqiptarë të Kosovës në Angli.

Kryeministri u shpreh se disa ende sot kalojnë vështirësi burokratike për regjistrimin e fëmijëve në Shqipëri, pasi tjetër emër kanë në pasaportën angleze dhe tjetër duan të kenë në certifikatën e lindjes shqiptare.

TRT Balkan / agjencitë