Rama-Blinken: Marrërdhëniet Shqipëri-ShBA si asnjëherë më parë        / Foto: ATA

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Me një agjendë të ngarkuar, sekretari amerikan i shtetit dhe kryeministri shqiptar u drejtuan para mediave me një konferencë shtypi, ndërsa nuk munguan mesazhet e ndërsjella që shfaqin në pah marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se “është gjithnjë një ditë e shënuar, me një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, dita kur një Sekretar Shteti viziton Shqipërinë”.

“Në llogarinë tonë Ju jeni i gjashti, por këtë herë ne kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë pasi jemi shumë të vetëdijshëm për kohën shumë të trazuar jo vetëm në kufijtë e Europës, por edhe në zona të tjera me rëndësi strategjike në ekuilibrat e botës ku jetojnë dhe rrjedhimisht për ngarkesën e posaçme të agjendës suaj. Fakti që Ju gjetët kohë dhe e patë të nevojshme që të ndaleni në Tiranë është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë, por edhe e vlerësimit që Ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti, dhe patjetër edhe këtij rajoni”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Sekretari amerikan i shtetit, i cilësoi marrëdhëniet me Shqipërinë në nivelet më të larta të mundshme teksa për kryeministrin Edi Rama u shpreh se është një partneri i jashtëzakonshëm i ShBA-së.

“Jam këtu në vizitën time të parë si Sekretar i Shtetit në Shqipëri, sepse ky partneritet mes dy vendeve tona është më i fortë se ç’ka qenë ndonjëherë dhe marrëdhënia me Shqipërinë për ne është në fakt kritike për të adresuar disa çështje që janë vendimtare për vendet tona, si dhe kjo është një rrugë me dy kalime dhe jemi duke bërë gjëra me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin, në mënyrë që të përfitojnë populli shqiptar dhe ai i ShBA-së, pra në mënyrë që të përfitojnë të dy popujt tanë”, theksoi sektretari Blinken.

Sekretari amerikan Blinken mbërriti sot në Shqipëri ku u prit nga Presidenti Bajram Begaj dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë dhe të ambasadës amerikane, ndërsa së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, firmosën dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

TRT Balkan / agjencitë