Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë ka shkaktuar vdekjen e dy personave, ndërkohë kanë vazhduar reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë edhe gjatë orëve të natës.
Pas operacioneve të kërkimit, janë gjetur trupat e pajetë të babës e të birit, të cilët gjatë ditës së djeshme i mori rrjedha e ujit në automjetin më të cilin udhëtonin në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, në Qarkun e Shkodrës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Shkodrës, trupat e pajetë janë gjetur pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm.
Shqipëria është përfshirë nga moti i keq në orët e fundit, me reshje të dendura shiu dhe stuhie, që ka vazhduar edhe gjatë orëve të natës.
Situata më problematike është në Qarkun e Shkodrës, ku ka pasur edhe përmbytje në disa lagje dhe në sipërfaqet bujqësore, si dhe probleme në akset rrugore. Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në qarqet Lezhë e Dibër.
Për përballimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe institucione të tjera.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje të gjithë banorëve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet të bëjnë kujdes me lëvizjet dhe të njoftojnë autoritetet në rast nevoje.
Vërshime në shumë vendbanime të Kosovës
Gjatë ditës së djeshme, shumë vendbanime të Kosovës janë prekur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla në një postim në Facebook ka shkruar se ekipet e menaxhimit të emergjencave që nga orët e hershme të mëngjesit ndodhen në terren dhe kanë reaguar në të gjitha rastet e evidentuara.
“Sapo kam pranuar raportin nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave rreth gjendjes së krijuar me ç’rast konfirmohet se në zonën e Dukagjinit kemi dëme të ndryshme nga vërshimet. Momentalisht, situata është duke u menaxhuar dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga Qendrat Emergjente në të gjitha komunat”, ka shkruar ai.
Edhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj deklaroi se Forcat e Sigurisë të Kosovës janë të gatshme të reagojnë dhe t'i ndihmojnë popullatës civile nëse ka nevojë.
Situata kritike në Serbi, humb jetën një fëmijë
Reshjet intensive të shiut shkaktuan vërshime edhe në Serbi, ndërsa situata më kritike paraqitet në Novi Pazar dhe Tutin, ku lumenjtë lokalë kanë dalë nga shtrati duke rrezikuar banorët.
Në Tutin, një fëmijë dyvjeçar kishte rënë në lumin Vidrenjak, i dalë nga shtrati si pasojë e vërshimeve. Pas disa orëve kërkim, policia dhe zjarrfikësit arritën të gjejnë trupin e pajetë të foshnjës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq urdhëroi Ushtrinë e Serbisë të vihet në dispozicion të qytetarëve të Novi Pazarit dhe të Tutinit në luftën kundër vërshimeve.