Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, kanë zhvilluar një takim të përbashkët me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, takimi u zhvillua në margjinat e Samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Chișinău, Moldavi.
Kovaçevski theksoi mbështetjen e fortë që Maqedonia e Veriut i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit ushtarak të Moskës kundër Kievit në shkurt të vitit të kaluar.
"Maqedonia e Veriut dënoi agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e saj. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në çdo formë që Ukraina ka nevojë”, ka theksuar Kovaçevski.
Presidenti i Ukrainës, Zelenskyy, falënderoi për mbështetjen që populli ukrainas merr nga Maqedonia e Veriut dhe tha se ajo vjen në momente vendimtare.
“Ju nuk keni bërë kalkulime, keni qenë pranë nesh që nga dita e parë dhe populli ukrainas dhe ne e vlerësojmë këtë”, shtoi ai, sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.