Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se nuk ka pasur eksport mbetjesh të rrezikshme nga Porti i Durrësit.
Në interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike mbi transportin e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit, Rama theksoi se fillimisht duhet të argumentohet nëse është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme.
Kryeministri theksoi se, sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë dhe dokument të paraqitur nga subjektet private si pjesë e procedurave të eksportit është shumë e qartë se eksportimi i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme.
“Praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit. Në të dyja rastet, atij të transportit nga Elbasani drejt Tajlandës përmes Durrësit dhe atij nga Kosova drejt Kinës përmes Durrësit, mallrat e deklaruara si okside, hidrokside hekuri apo koncentrat zinku janë transportuar nga porti i Durrësit drejt porteve europiane me gjithë dokumentacionin përkatës përmes linjave kontenerike ndërkombëtare me një reputacion të padiskutueshëm në botën e transportit detar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se ngarkesat kanë qëndruar dhe janë magazinuar përkohësisht në vendet e BE-së, ku askush nuk i ka penguar dhe më pas janë lejuar të vijojnë normalisht itinerarin e tyre.
“Nga verifikimet e proceseve logjistike të këtyre dy ngarkesave, si edhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët europianë, mbi të cilat bazohet procedura mjedisore dhe doganore në vendin tonë. E njëjta gjë vlen edhe nga pikëpamja e transportit portual dhe të transportit detar”, tha Rama.