Nismës “Ballkani i Hapur” përpos vendeve të rajonit, duhet t’i bashkëngjiten edhe vende si Türkiye, Greqia, Italia dhe Hungaria. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një propozim të tillë e dha në ditën e dytë të takimit të iniciativës "Ballkani i Hapur" i cili po mbahet në Beograd.
“Për ne jo vetëm se është e rëndësishme kësaj nisme (Open Balkan), t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit tonë, po t’i bashkëngjiten edhe vende kaq të rëndësishme sa Turqia, Greqia apo Italia, si dhe Hungaria në anën tjetër”, tha Rama.
Mes tjerash kryeministri Rama u ndal edhe tek rëndësia e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për lëvizjen me letërnjoftime mes qytetarëve të vendeve. Ai tha se kjo është zgjidhje e Ballkanit të Hapur.
“Dje mund të kishte qenë një ditë krejt tjetër për hir të vërtetës, dje ne mund mos ishim fare këtu. Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat tona, të Evropës e mbase edhe të botës, do ishin të mbushura me lajme shqetësuese për atë që ndodh në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Dita e djeshme tregoi qartë cila është rruga dhe cila është zgjedhja e ‘Ballkanit të Hapur’. Dhe sot dua ta them këtu me shumë krenari dhe shumë kënaqësi që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e ‘Ballkanit të Hapur’”, deklaroi Rama.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, para të pranishmëve në këtë takim, tha se synimi i "Ballkanit të Hapur" duhet të jetë heqja e plotë jo vetëm e barrierave administrative mes Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë, por edhe heqja e plotë të trave dhe krijimi i një rajoni që komunikon me njëri-tjetrin në të gjitha bazat.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke hapur sot në Beograd samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, tha se sipas tij, suksesi i këtij projekti varet nga ajo se sa vende anëtare të kësaj nisme do të arrijnë të sigurojnë të ardhmen e mirë ekonomike, por në të njëjtën kohë, se do të forcojë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Prezentë në këtë mbledhje në Beograd, po ashtu është edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Pjesë e këtij samiti të "Ballkanit të Hapur" në Beograd janë edhe ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu dhe ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto.
Nënshkruhen katër marrëveshje
Nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, sot në Beograd nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Ministrat e Bujqësisë të vendeve në fjalë e nënshkruan marrëveshjen për sigurinë ushqimore. Në kuadër të këtij takimi u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi në sferën e minierave dhe energjisë ishte marrëveshje tjetër e nënshkruar. Mes tjerash u nënshkrua edhe plani ndër operativ në fushën e emergjencave civile mes Republikës së Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
2 Sht 2022
Rama ftoi Türkiye-n, Greqinë, Italinë dhe Hungarinë në “Ballkanin e Hapur”
Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e letërnjoftimeve sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama është zgjidhje e "Ballkanit të Hapur".
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Samiti III i Diasporës në Tiranë: Diaspora, simbol i qëndrueshmërisë
Në ditën e dytë të Samitit të tretë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Rama u shpreh se, përtej simbolikës që ka, ky takim vjen edhe me vetëdijen e plotë për shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Artikujt në këtë kategori
Vuçiq dhe Hashemi diskutojnë forcimin e bashkëpunimit ekonomik
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit tha se kishte pasur një bisedë të mirë dhe miqësore me Hashemin dhe e falënderoi për letrën e presidentit të Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili konfirmoi pjesëmarrjen e vendit në EXPO2027.
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore
Gjykata Speciale kufizon kontaktet për Thaçin, Veselin dhe Selimin
Ky vendim, siç njofton Gjykata Speciale, vjen si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë te dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët.