Rama letër Blinkenit: Shqipëria synon të presë Samitin e NATO-s 2027       / Foto: ATA

Kryeministri Edi Rama i dërgoi një letër, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas vizitës së tij kuptimplotë në Tiranë.

“I nderuari sekretari Blinken! Me vlerësim të thellë ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Ju dhe delegacionin Tuaj për vizitën tuaj në Tiranë më 15 shkurt. Gjithashtu, do të doja të shpreh vlerësimin tim të madh për të gjithë ata që mundësuan vizitën, veçanërisht Ambasadën amerikane në Tiranë.

Më lejoni të përfitoj nga ky rast për të riafirmuar angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara dhe synimet tona të përbashkëta për promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut”, shkruan Rama në letër.

Ai vazhdon më tej duke thënë se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformën shumë të nevojshme të shtetit të së drejtës si një bazë vitale e demokracisë shqiptare dhe një shtyllë jetike në përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin.

“Ne njohim gjithashtu rëndësinë e punës së përbashkët për të reformuar sektorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë, të cilët janë thelbësorë për suksesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE”, vazhdon Rama.

Ndërsa përgatiten për samitin e ardhshëm të NATO-s në Uashington DC, Rama dëshiron të siguroj për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Ne besojmë se është thelbësore të vazhdojmë të punojmë së bashku për të garantuar stabilitetin rajonal dhe për të zmbrapsur ndikimet e jashtme malinje, siç diskutuam gjatë takimit tonë në Tiranë. Besoj se ka ardhur koha që, për herë të parë, Aleanca të thërrasë një samit gjithëpërfshirës në Ballkanin Perëndimor. Pas diskutimit tonë në Tiranë, dëshiroj të ritheksoj synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia e ka ofruar bujarisht për ta mikpritur”, thekson Rama.

“Si një vend aleat, Shqipëria ka treguar gjithmonë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës. Duke ecur përpara për të pritur Samitin e NATO-s, ajo përsërit rolin e saj si fener i vlerave dhe qëllimit të Aleancës në këtë pjesë të Evropës”, shton më tej kreu i qeverisë.

“Kjo ngjarje do të ishte me rëndësi historike dhe strategjike si për rajonin ashtu edhe për Aleancën. Do të përcillte mesazhin e fortë se rajoni është i një rëndësie strategjike për Aleancën. Faleminderit përsëri, Sekretari Blinken për vizitën Tuaj në Tiranë dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon”, përfundon letrën Kryeministri Edi Rama drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

TRT Balkan / agjencitë