Rama: Nuk linjëzohemi me BE-në lidhur me incidentin në Kosovë / Foto: ATA

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se Shqipëria nuk e mbështet pozicionin aktual të Bashkimit Evropian lidhur me Kosovën. Ky kundërshtim për herë të parë me një deklaratë të politikës së jashtme të BE-së, sipas Ramës, vjen për shkak se Brukseli nuk adresoi problematikën e ditëve të fundit, pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Evropian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit ku ka ndodhur një zhvillim dramatik, pasi është vrarë një efektiv i policisë i Republikës së Kosovës, nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i komanduar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që u pasua nga shpallja e një dite zie kombëtare në Beograd”, tha Rama nga Roma e Italisë, ku po qëndron për vizitë.

Rama tha se shpallja e zisë kombëtare nga Serbia “është e papranueshme, e pajustifikueshme, e madje është e dënueshme, sepse është joeuropiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në të njëjtën kohë për gjithë Ballkanin dhe për gjithë Europën”.

Ai theksoi se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe Komuniteti Euro-atlantik të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur shpalljes së zisë kombëtare në Beograd.

Këto qëndrime Rama i tha në konferencën për media pas takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Me kryediplomatin italian u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, ndërsa Rama tha se është i lumtur që qeveriа aktuale e Italisë ka marrë zotimin e veçantë për të kaluar nga shumë premtime në fakte ekonomike, në politikë të përbashkët, në siguri e kështu me radhë.

TRT Balkan / agjencitë