Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ndau sot pjesë nga fjala e tij në Kongresin e PS ku foli për votën e shqiptarëve jashtë vendit, të cilin e cilësoi si zotimi i mbajtur për shqiptarët e Greqisë, Italisë e mbarë botës.
“Për herë të parë, shqiptarët jashtë kufijve do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë dhe ku punojnë, falë vulosjes së kësaj të drejte në Kodin zgjedhor të miratuar nga parlamenti pak ditë më parë”, tha Rama.
“I përshëndes delegatët e ardhur nga jashtë. Në radhë të parë ata nga Greqia që besnikërisht, besnikërisht prej vitesh janë këtu të pranishëm në çdo Kongres të Partisë Socialiste dhe u them që sot, më në fund, ndjehem mirë përpara jush dhe përmes jush përcjell ndjenjën time të respektit dhe mirënjohjes më të thellë atyre mijëra shqiptarëve në Greqi dhe në Itali të cilët më dhuruan një energji të jashtëzakonshme, një energji të atillë që të bën të duket çdo mal i kapërcyeshëm dhe çdo horizont i arritshëm. Shumë faleminderit”, u shpreh Rama.