Shqipëria është vendosur në krye të listës së udhëtimeve të sugjeruara nga mediet suedeze “Livsstil” dhe “Dagens Nyheter”.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përcolli në rrjetet sociale shkrimet e botuara në mediet suedeze ku i bëhet jehonë Shqipërisë si destinacion turistik.
“Nga veriu në jug, një udhëtim në të cilin të shoqërojnë rrënoja të lashta, male magjike, plazhe të bukura me rërë të imët, fshatra të rrallë dhe detet e kristalta, Shqipëria përshkruhet si një nga brigjet më piktoreske të Mesdheut”, shkruan kryeministri shqiptar Edi Rama.
Ai theksoi se në tre muajt e parë të këtij viti Shqipëria është vizituar nga rreth 5.000 vizitorë nga Suedia.
“Rreth 5.000 vizitorë nga Suedia kemi pritur në tre muajt e parë të vitit 2024, ose 59% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, duke qenë një ndër tregjet me shumë potencial”, shprehet kryeministri Edi Rama.
Shqipëria arriti rekordin e 10,1 milionë turistëve në 2023-shin, duke shënuar vitin më të mirë turistik në nivel shifrash. Autoritetet në vend kanë deklaruar se këtë vit presin mbi 14 milionë turistë të vizitojnë vendin.