Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nderoi sot viktimat e krimit shtetëror të luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës, në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut. .
Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama u shpreh se masakra e Reçakut qëndron përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet.
“Nderim për viktimat e krimit shtetëror të luftës mizore për spastrimin etnik të Kosovës, që tronditi mbarë botën dhe qëndron përjetësisht si gur themeltar i kujtesës së Kosovës shtet”, shkruan kryeministri.
Ndryshe, Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, një ngjarje që tronditi botën dhe ndryshoi rrjedhën e historisë për Kosovën.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë, civilë të pafajshëm. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.