Rama: Porti i ri i Durrësit nyja më e rëndësishme e Perëndimit dhe e BP-së.     Foto: Edi Rama/Facebook

Ambicia jonë është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër përtej anës perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano nga studioja holandeze “Royal Haskoning DHV”.

“Ky është një port që e çon bashkëpunim rajonal në një nivel tjetër. Prandaj, e kemi nisur këtë proces paralelisht në radhë të parë me Kosovën, ashtu siç kemi nisur punën me hekurudhën, kemi mbështetur studimin e fizibilitetit për Portin e Thatë të Prishtinës dhe kemi bindur BE-në për të financuar Korridorin e 8-të”, tha Rama.

Durrësi, sipas kryeministrit Rama, ka qenë prej shumë shekujsh i konsideruar si taverna e Adriatikut dhe ka pasur një përmasë të rëndësishme falë rrugës Egnatia, që e ktheu Durrësin në limanin më të rëndësishëm në Mesdhe”.

“Thënia e vjetër që nga Perandoria Romake se ‘të gjitha rrugët të çojnë në Romë’ falë ‘Royal Haskoning DHV’, do të bëjë që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Durrës. Sot jemi në shekullin XXI dhe jemi vonë. Po të kishte nisur kjo punë 30 vjet më parë, sot do të ishim duke marrë frytet. Por, kjo punë nis sot sepse janë pjekur kushtet që të kemi një port tregtar të denjë për shekullin XXI”, tha ai.

Kryeministri siguroi se “Durrësi, duke filluar nga integrimi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut përmes Prishtinës dhe Strugës do t’i japë këtij rajoni një fytyrë dhe kapacitet krejt tjetër”.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili mori pjesë në prezantimin e projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano, tha se autostrada me 6 korsi nga Shkupi në Qafë-Thanë që do të zvogëlojë distancën Shkup-Tiranë me 2.5 orë, ndërsa Shkup-Vlorë në 3 orë.

“Për të pasur qasje në port, po planifikojmë linjën hekurudhore Shkup-Kërçovë-Pogradec-Durrës. Në janar, bashkojmë dy kontrollet tona kufitare në një të vetëm me synimin për të hequr përfundimisht kufijtë mes nesh dhe shpresojmë që këtë ta bëjmë me Kosovën gjatë vitit të ardhshëm. Po ndërtojmë edhe linjë interkonjunktive energjetike midis nesh me dy projekte stacionin në Ohër dhe linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan”, tha Grubi.

Risa e këtyre projekteve, sipas Grubit, është ndërtimi i portit të thatë në qytetin e Strugës.

ATA