Italia është avokati më i rëndësishëm i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me homologen italiane Giorgia Meloni.
Rama dhe Meloni inspektuan kampet e migrantëve në Shëngjin e Gjadër, të ngritura si pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Itali, e cila parashikon që Shqipëria të mbajë mijëra azilkërkues që synojnë Italinë.
“Duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në një mënyrë të pandashme, të pashlyeshme, për gjithë afeksionin dhe për gjithë vullnetin e mirë që ka treguar, teksa ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt BE-së. Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel dhe të kesh sot këtu nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si bekim”, theksoi Rama.
Kryeministrja italiane Meloni, nga ana tjetër, tha se kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ndihmon Italinë, ndërsa shprehu dhe mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare, që sipas Melonit u sulmua vetëm se i ofroi ndihmë Italisë.
“Do të doja të thosha ashtu sikundër ne pamë dhe dëgjuam nga fjalët e Kryeministrit Rama se vendet tona janë dy vende mike. Janë dy vende që historikisht kanë bashkëpunuar së bashku. Do të doja të falënderoja edhe një herë Kryeministri Rama, gjithë popullin shqiptar për mundësinë që na dhanë, për ndihmën që na dhanë në mënyrë që ne të realizonim këtë marrëveshje. Uroj të jetë një shembull për gjithë BE-në”, tha Meloni.
Marrëveshja u firmos në Romë nga dy kryeministrat, Edi Rama dhe Giorgia Meloni, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa parashikon ngritjen e dy qendrave për pranimin e migrantëve në Shqipëri, të cilat do të ndihmohen nga Italia.