Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të zhvillojë sot në Londër një takim me shqiptarët e Britanisë së Madhe.
Takimi organizohet në kuadër të turit të bashkëbisedimit me diasporën, në orën 12:00 me orën lokale, në sallën “The Cooper Box, Queen Elizabeth Olympic Parc”.
“Me kënaqësinë e takimit të sotëm kuqezi me shqiptarët e Britanisë së Madhe, në rrugën drejt Shqipërisë 2030”, u shpreh sot Rama, ndërsa një ditë më parë ndau dhe pamje të sallës ku do të zhvillohet edhe takimi.
Për herë të parë shqiptarët e diasporës pritet të votojnë në pranverën e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.
Turin e bashkëbisedimit me diasporën, kryeministri Rama e ka nisur në 12 maj 2024 nga Athina, për të vijuar më pas në 26 maj në Milano, Itali, dy shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë.
Në 26 tetor, Kryeministri Rama zhvilloi po ashtu takimin në Nju Jork me shqiptarët e Amerikës, të cilëve u kërkoi votën në zgjedhjet e ardhshme për të vijuar punën drejt misionit për ta bërë Shqipërinë vend anëtar në BE.
Takimi i kryeministrit Rama në Londër vjen pas atij të Selanikut në 3 Nëntor.