Rama: Shpiragu, kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit. / Photo: Edi Rama/Facebook

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e cilësoi sot zonën naftëmbajtëse të Shpiragut një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale Rama ndau një video nga inspektimi i kryer dje në pusin numër 5 Shpirag.

Duke e konsideruar kantierin e një shprese të madhe për Shqipërinë 2030, Rama tha se “pas një pune titanike thuajse dhjetëvjeçare dhe arritjes në 6.002 metra në thellësi të tokës, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë, në ndërkohë që po përgatitet testi vendimtar i qëndrueshmërisë së presionit të nëntokës për nxjerrjen e saj lart, çka në rast suksesi do të thotë një kapërcim historik në jetën ekonomike të vendit”.

Gjatë vizitës dje në kantier, Rama theksoi se “punojmë paralelisht për projektin e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare, duke u nisur nga studimi i vëmendshëm i praktikave botërore të fushës, si fondet sovrane të Norvegjisë, Arabisë Saudite, Azerbajxhanit e me radhë”.

Në pusin numër 5 Shpirag, kompania SHELL po vijon punën eksploruese me synimin që në fund të këtij viti të ketë edhe rezultatet e testit përfundimtar teknik.


TRT Balkan / agjencitë