Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar sot pas ratifikimit nga Kuvendi të protokollit me qeverinë italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.
Përmes një postimi në plaftormën X, Rama u shpreh se Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
“Po punojmë së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorim këtë çështje si benzinë për grindjet e brendshme politike, që vetëm sa rrit ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt”, u shpreh Rama.
Sipas tij, vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane, besnike ndaj vetvetes mund ta përballojë sfidën e migracionit.
“Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë a zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë rëndësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër a mënyrë e të menduarit nga e kaluara nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet. Vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane e besnike ndaj vetvetes mundet”, shtoi ai.
Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota pro, në seancën e sotme plenare miratoi projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.