Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndalimi i platformave TikTok dhe SnapChat mund të sjellë një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që stimulon, frymëzon dhe nxit dhunën dhe bullizmin.
Gjatë një konsultimi publik me një përfaqësi prindërish që drejtojnë Këshillat e Prindërve dhe anëtarë të këshillave në shkolla të ndryshme të Tiranës, Rama u shpreh se është diskutuar prej kohësh ideja e këtyre dy platformave, të cilat konsiderohen si më problematike.
“Ideja për të ndaluar TikTokun dhe/ose SnapChat si dy platforma që janë problematike, – të gjitha platformat janë problematike në fakt, por këto dyja janë problematike për arsye specifike – është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot. Me këtë rast menduam që ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë sepse nuk është kaq bardhë e zi, nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që e stimulon, që e frymëzon, që e nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi”, u shpreh Rama.
Kryeministri kërkoi sugjerimet e prindërve apo mësuesve, të cilët kanë këndet e tyre të vështrimit të situatës.