Rama: E pamohueshme e drejta e Kosovës për të zbatuar Kushtetutën e vet. / Foto: AA Archive

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot lidhur me reagimet ndaj hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros në pagesa.

Në një postim në rrjetin social “X” Rama u shpreh se pavarësisht se Kosova duhet të koordinohet me partnerët, nuk duhet harruar e drejta e saj për të zbatuar Kushtetutën.

Rama kërkoi që, pas sulmit të ndodhur në Banjskë, të mbahet ekuilibri.

“Ndërsa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruhet fokusi dhe një sens ekuilibri”, u shpreh Rama.

Rregullorja e BQK-së, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt parashikon që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja. Një gjë e tillë ka sjellë reagime pasi serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit.

BE-ja dhe ShBA-ja kanë kërkuar shtyrjen e rregullores për t’u dhënë kohë të mjaftueshme serbëve të përshtaten me të.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur edhe sot kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

TRT Balkan / agjencitë