Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Chatham House”, deklaroi se raporti i Dick Martyt për Kosovën është një kurth që vazhdon të funksionojë.
Rama u pyet për fjalimin që mbajti në Asamblenë e Këshillit të Evropës lidhur me këtë raport duke theksuar se do ta bënte sërish këtë pasi sipas tij, “është një kurth i tërë”.
“Disa njerëz, autoritete, disa kolegë të mi, nuk duan ta shohin që nuk ka aspak të bëjë me çështjen në gjykatë. Ka të bëjë me një pjesë të saj, që është mëkati fillestar që ka sjellë këtu, por kjo është e vërteta. Është një kurth rus, kjo është e qartë dhe u heq kapelen rusëve që kurthi i tyre vazhdon të funksionojë dhe gjithë komuniteti evropian, komuniteti demokratik po punon në bazë të një kurthi, sajese ruse”, nënvizoi Rama.
Pranimin si të vërtetë raportin e përgatitur nga Dick Marty, kryeministri i Shqipërisë e quajti turp të komunitetit evropian.
“Dikush duhet të më thotë ku janë organet që janë hequr nga trupat dhe që janë trafikuar në perëndim. Ku janë? Nuk ka asnjë provë të asnjë lloj veprimtarie të këtij lloji. Ky raport është një turp për Këshillin e Evropës. Ky raport është turp për komunitetin evropian të vendeve që janë pjesë e Këshillit të Evropës. Çfarë pasojash? Kjo është e vërteta”, tha Rama.
Ai shpreh bindjen se e vërteta do të dalë.