Vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të investojnë miliarda dollarë amerikanë në vitet e ardhshme nëse duan të mbrojnë banorët dhe pronat e tyre nga pasojat e ndryshimeve klimatike, vlerëson Banka Botërore (BB) në raportin e saj të ri për ndryshimet klimatike dhe zhvillimin botuar së fundmi.
Analistët e Bankës Botërore vlerësojnë se kjo do të thotë një investim prej të paktën 37 miliardë dollarësh në dhjetë vitet e ardhshme, sepse, ndër të tjera, nevojitet një ndryshim i plotë përmes fokusimit në burimet e rinovueshme të energjisë elektrike.
Banka Botërore ndihmon në mënyrë aktive vendet që të kufizojnë emetimet e gazeve serrë dhe të krijojnë elasticitet ndaj ngjarjeve ekstreme të motit. Qëllimi i Bankës Botërore është të kanalizojë 45 për qind të financimit të saj në veprimet klimatike deri në vitin 2025, me fondet të shpërndara në mënyrë të barabartë për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Vetëm gjatë viteve fiskale 2023 dhe 2024, sipas raportit të Bankës Botërore janë ka siguruar afro 1,2 miliard dollarë financim për veprimet klimatike në Ballkanin Perëndimor.
Nga ky institucion theksojnë se veprimi efektiv i këtij plani mund të sjellë përfitime të mëdha për Ballkanin Perëndimor, i cili përbëhet nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Këto investime do të ndihmonin në shmangien e humbjeve të jetës njerëzore, pronës dhe produktivitetit, por edhe përshpejtimin e rritjes ekonomike.
“Mosveprimi nuk është opsion për rajonin”, paralajmëron raporti, duke theksuar se rajoni tashmë është nën ndikimin e fortë të ndryshimeve klimatike. Si dëshmi për këtë, ata përmendin faktin se gjatë dekadës së fundit, përmbytjet kanë prekur drejtpërdrejt dy milionë njerëz dhe me reshjet gjithnjë e më ekstreme, pasojat e tyre do të përkeqësohen. Një kërcënim në rritje përfaqësojnë edhe zjarret në pyje, nga të cilat mbi 1.500 janë regjistruar në vitin 2021, që është 21 për qind më shumë se gjatë dekadës së mëparshme. Thatësirat ndikojnë negativisht edhe në prodhimin bujqësor dhe valët e të nxehtit kontribuojnë në ndotjen e ajrit, duke shkaktuar mijëra vdekje të parakohshme në Ballkanin Perëndimor çdo vit.
Drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, tha se investimet e nevojshme sjellin përfitime të shumëfishta.
“Nëse përgatitemi për rreziqet klimatike, mund të shpëtojmë jetë, të ruajmë komunitetet lokale dhe të stimulojmë rritjen ekonomike”, tha Yu, duke vlerësuar se për çdo dollar të investuar në këto investime realizohen përfitime me vlerë rreth katër dollarë.
Vendet e Ballkanit Perëndimor pritet veçanërisht të reduktojnë emetimet e gazeve serrë në mënyrë që të mbeten konkurruese, të përmirësojnë sigurinë energjetike dhe të tërheqin investime të huaja. Arritja e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, në përputhje me synimet e Bashkimit Evropian, do të kërkonte investime shtesë prej 32 miliardë dollarësh amerikanë.
Emetimet e gazeve serrë, vlerëson Banka Botërore, mund të reduktohen në zero deri në vitin 2050 nëse termocentralet diellore, termocentralet e erës dhe hidrocentralet mund të prodhojnë më shumë se 95 për qind të energjisë totale, dukshëm më shumë se një e treta aktuale.
Përveç kësaj, dekarbonizimi i sektorit të ndërtimit përmes investimeve në efiçencën e energjisë është gjithashtu i nevojshëm dhe sektori i transportit duhet të transformohet thellësisht.