Rasti ndaj ish-kryeministrit Berisha, mbahet protestë para SPAK-ut / Photo: AA

Në Shqipëri është mbajtur një protestë me moton "Në mbështetje të së drejtës dhe ligjit", organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), në kohën që ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, është paraqitur në ambientet e prokurorisë.

Më 3 janar 2025 Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e Shqipërisë (GjPAKKO) vendosi masën e sigurisë "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore" për ish-kryeministrin Berisha, i dyshuar për korrupsion, masë e cila kundërshtohet nga drejtuesit e partisë opozitare, që sipas tyre është e padrejtë.

Protestuesit kundërshtojnë masën ndaj Berishës, pasi sipas tyre është vendosur për qëllime politike.

Duke folur para qytetarëve të mbledhur për të protestuar para ambienteve të SPAK-ut, Berisha u shpreh se "zëri i tij nuk mund të mposhtet kurrë".

Ndërkohë, në një deklaratë për mediat Berisha u shpreh se "SPAK po fle mbi dosjet e krimit".

"Unë e kam fituar 100 për qind kauzën time për mbrojtjen e Kushtetutës", theksoi ish-kryeministri Berisha.

Lënda ndaj ish-kryeministrit Berisha

Më 20 tetor 2023, GjKKO-ja për Berishën caktoi masën "detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore" dhe "ndalim i daljes jashtë shtetit", sipas autoriteteve i dyshuar për korrupsion, ndërsa për dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezi, ishte caktuar fillimisht masa "arrest me burg" dhe më pas "arrest në shtëpi", i cili dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.

Më 12 dhjetor 2023, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë ndaj ish-kryeministrit Berisha, kërkesë e cila u miratua nga Kuvendi më 21 dhjetor.

Në seancën e datës 30 dhjetor 2023, GjKKO-ja vendosi masën arrest në shtëpi ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe më 25 janar 2024 GJPAKKO la në fuqi masën e sigurisë "arrest në shtëpi".

Më 27 nëntor 2024 GjKKO-ja vendosi heqjen e masës së sigurisë arrest në shtëpi për ish-kryeministrin Berisha, ndërkohë më 3 janar GjPAKKO-ja vendosi masën "Detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore".

Objekt i hetimit të këtij procedimi penal, sipas autoriteteve, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të "Klubit të Futbollit Partizani" dhe "Klubit Shumësportesh Partizani" në Tiranë.

AA