Pushtimi i Shenjtë i TRT World, dokumentari më i mirë në AJB DOC          / Foto: AA

Ka përfunduar pa takim tripalësh raundi i ri i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel. Kryenegociatorët përkatës, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë, kanë takuar ndaras të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë ditës së sotme. Por, një takim tripalësh ka munguar.

Sipas Besnik Bislimit, takimi dështoi pasi Serbia e “kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por, u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare”, ka thënë Bislimi për mediat.

Kryenegociatori serb Petar Petkoviq, nga ana tjetër, tha se takimi kishte dështuar për shkak se Besnik Bislimi nuk ka dashur të takohet për temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe tema të tjera.

“Takimi trepalësh i drejtpërdrejtë me palën prishtinase nuk ka ndodhur sepse z. Bislimi ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit, sepse ne kemi insistuar në tema si Asociacioni, shërbimet dhe çështja e zbatimit, pra aplikimi i marrëveshjes”, tha Petkoviq.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, në takimin e Bislimit me Lajçakun është folur për çështjen e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.

TRT Balkan / agjencitë