Shqipëria dhe Britania me stërvitje të përbashkët ushtarake./       Foto: AA/Arkiv

Forcat e armatosura të Shqipërisë do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët detare me forcat ushtarake të Britanisë së Madhe.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se forcat e armatosura shqiptare do të zhvillojnë për gati dy javë stërvitjen e përbashkët detare bregdetare "Austere Wolf-24" me kolegët e tyre të Britanisë së Madhe, në Bazën Detare Pashaliman në kuadër të stërvitjes "Corridor VIII Response".

"Kjo stërvitje parashikohet të zgjasë deri më 7 tetor 2024. Në të njëjtën periudhë, pala britanike, përpos zhvillimit të stërvitjes 'Austere Wolf 24' parashikon të zbarkojë në vendin tonë edhe trupat e NATO-s 'Strategic Reserve Force' (SRF), të cilat do të vijojnë kalimin në itinerarin e Korridorit VIII, Shqipëri (Durrës ose Vlorë) - Maqedoni e Veriut - Kosovë - Shqipëri", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, stërvitja "Austere Wolf-24", e planëzuar nga pala britanike, ka për qëllim zbarkimin e trupave dhe mjeteve lundruese në kushte të vështira bregdetare në bashkëpunim me vendin pritës.

Gjithashtu, theksohet se qëllimi i stërvitjes është promovimi i ndërveprueshmërisë midis vendeve anëtare të NATO-s.

Sipas ministrisë, në këtë stërvitje, Forcat e Armatosura do të angazhojnë anije patrulluese dhe zhytësit e Forcës Detare, trupa të Forcës Tokësore dhe mjete nga Forca Ajrore.

AA