Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, i cili filloi sot dhe do të zgjasë deri më 17 maj populli serb sipas Listës Serbe nuk do të marrë pjesë. Sipas tyre, ky është një regjistrim i rremë dhe i njëjti synon dëbimin e serbëve nga Kosova.
“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë në kohën kur i njëjti Kurti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ku nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1,8 milion banorë. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.