Risitë e vitit të ri shkollor: Pushim pranveror për nxënësit / Foto: AA

Nesër, më 1 shtator, nxënësit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut iu kthehen bankave shkollore, me fillimin zyrtar të vitit të ri shkollor. Në Shqipëri, viti shkollor fillon pak më vonë, më 11 shtator.

Në të tria shtetet, nxënësit do të kenë dy pushime brenda kalendarit shkollor.

Pushimi pranveror

Shqipëria dhe Kosova po praktikojnë viteve të fundit pushimin pranveror, duke liruar nxënësit nga shkolla për 5 ditë pune në javën e parë të prillit. Nga ky vit shkollor, kjo risi do të praktikohet edhe në Maqedoninë e Veriut.

Me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, edhe nxënësit filloristë në Maqedoninë e Veriut do të pushojnë nga 29 prilli deri më 5 maj, që përkon me ditët jopune për Ditën e Punëtorit dhe festat fetare të pashkëve ortodokse.

Për të kompensuar këto ditë, Maqedonia e Veriut ndryshoi orarin e përfundimit të vitit shkollor. Në vend se më 10 qershor, shkollat do të mbyllen më 17 qershor.

Edhe në Kosovë viti shkollor përfundon më 17 qershor, ndërsa në Shqipëri më 14 qershor. Përjashtim bëjnë maturantët dhe gjysmëmaturantët të cilët e mbyllin vitin pak më herët.

Përveç pushimit pranveror, në të tria shtetet do të vazhdojë të praktikohet pushimi i fundvitit, në mesin e dy gjysmëvjetorëve mësimorë.

Rikthimi në binarë

Procesi mësimor në të tria shtetet e Ballkanit u përball me shumë probleme dhe vështirësi në vitet e fundit. Për dy vjet pandemi u praktikua mësimi onlajn, një improvizim ad-hoc për të mos mbyllur tërësisht shkollat, por që u karakterizua me probleme të ndryshme.

Përveç kësaj, secili shtet kishte vështirësi të tjera në arsim.

Vitin e kaluar Kosova u përball me grevën e mësimdhënësve, duke ndërprerë procesin arsimor për disa javë.

Në Maqedoninë e Veriut nxënësit kishin mungesë të librave dhe materialeve mësimore në pjesën më të madhe të vitit shkollor.

TRT Balkan