Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga rajoni si nënshkruese e Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje me Bashkimin Evropian, deklaroi ministri i punëve të jashtme dhe i tregtisë së jashtme, Timço Mucunski.
“Sot në Bruksel, me kënaqësi të madhe, së bashku me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nënshkruam Partneritetin për Siguri dhe Mbrojtje, duke u bërë vendi i parë nga rajoni që nënshkruan një dokument kaq të rëndësishëm me Bashkimin Evropian,” shkroi Mucunski në rrjetet sociale.
Sipas tij, nënshkrimi i Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje është një reflektim i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe të vazhdueshëm me Bashkimin dhe përfaqëson një hap kyç drejt një bashkëpunimi më të ngushtë për një spektër të gjerë çështjesh të sigurisë.
“Kjo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona për integrim në familjen evropiane, duke theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera të shtetit tonë me Bashkimin Evropian, të ndërtuara mbi besim të ndërsjellë, vlera të përbashkëta dhe vizion të përbashkët për një rajon të sigurt dhe të prosperuar,” tha ministri.
Në konferencën e përbashkët për media, ai shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për besimin dhe angazhimin në këtë partneritet.
“Theksova se ky është një hap i rëndësishëm drejt një Evrope më të fortë dhe më të bashkuar, e cila është e gatshme t'u përgjigjet sfidave të kohës sonë. Gjithashtu, konfirmova angazhimin tonë për thellimin e këtij partneriteti dhe avancimin e objektivave të përbashkëta për paqe, siguri dhe bashkëpunim,” tha Mucunski.
Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm bëri të ditur se marrëveshja do të kontribuojë për forcimin e qëndrueshmërisë dhe do të mundësojë menaxhimin e përbashkët të sfidave të sigurisë, si kërcënimet hibride, forcimi i sigurisë kibernetike, lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i integruar i kufijve, zbatimi i misioneve dhe operacioneve, si dhe bashkëpunimi në fusha të tjera të sigurisë dhe mbrojtjes.