Ndryshimet në Kushtetutë janë pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Diskutimi i Komisionit për Çështje Kushtetuese pritet të zgjasë dhjetë ditë pune dhe të përfundojë nga data 7 gusht deri më 9 gusht.
Komisioni për Çështje Kushtetuese në kuadër të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sot filloi procedurën për ndryshime kushtetuese. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka shpjeguar propozimin për ndryshime kushtetuese që Qeveria e ka dorëzuar në Kuvend.
Ndërhyrjet në Kushtetutë, siç theksohet nga Qeveria, i referohen shtimit të pjesëve të kombeve në Preambulë dhe nenet 49 dhe 78 të Kushtetutës, kur numërohen pjesët e kombeve në shtet. Në formulimin: “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, një pjesë e popullit shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak dhe të tjerët”, pas fjalës populli boshnjak vihet presje dhe shtohen: populli bullgar, populli kroat, populli malazez, populli slloven, populli hebre dhe populli egjiptian.
Deputetët e LSDM-së, BDI-së, LDP-së, DOM-it, Aleancës për Shqiptarët dhe partive të tjera më të vogla të koalicionit në pushtet do të mbështesin ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, shumica e kërkuar prej dy të tretave prej 80 deputetësh për ndryshimet kushtetuese nuk është siguruar për shkak të kundërshtimit të opozitës për të mbështetur ndryshimet në Kushtetutë, sidomos të partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE.
Ndryshimet në Kushtetutë janë pjesë e kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Kjo pasoi pasi propozimi francez për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes u ratifikua në parlamentin maqedonas dhe atë bullgar.
Sipas kornizës së negociatave, Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese deri në fund të nëntorit, kur përfundon shqyrtimi, pas së cilës duhet të mbahet seanca e dytë ndërqeveritare. Nëse kjo nuk ndodh, ka paralajmërime se procesi i negociatave me BE-në mund të ndalet.
Kovaçevski: Nuk duhet ta humbim këtë mundësi për Evropën Kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjatë elaborimit të propozimit të Qeverisë për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës tha se propozimi është tërësisht në drejtim të qëllimit konsensual të shtetit – anëtarësimit në BE, të vendosur në vitin 1991, që sot është vullneti shumicë i qytetarëve, një mundësi për brezat e rinj të ardhshëm që garanton një të ardhme evropiane. “Nuk duhet ta humbim këtë mundësi për Evropën. Ndodhi një herë kur u ndamë nga Kroacia. E nëse do të ndodhë edhe këtë vit, do ta vendosni ju në Parlament. Përfaqësuesit evropianë paralajmërojnë se ekziston rreziku i ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, nëse ndryshimet kushtetuese nuk miratohen para fundit të vitit. Kjo do të thotë se ato nuk janë të diktuara, por janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në”, tha Kovaçevski. Ai deklaroi se BE-ja nuk ndërhyn në çështjet e identitetit dhe se asnjë prej ndryshimeve kushtetuese nuk i prek ato.