Në qeverinë e Maqedonisë së Veriut është nënshkruar kontrata për ndërtimin e disa seksioneve të korridoreve 8 dhe 10-D.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë së Veriut, Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe konsorciumit turko-amerikan “Bechtel-Enka”.
Në nënshkrimin e kontratave, përveç përfaqësuesve të qeverisë dhe përfaqësuesve të konsorciumit, ishin të pranishëm edhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök dhe ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela Price Aggeler.
Në konferencën për media pas nënshkrimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se vendi po fillon me realizimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në historinë e tij.
“Ky është një projekt historik infrastrukturor me të cilin ne përmbushim një përcaktim të madh strategjik, nga i cili do të përfitojnë së pari qytetarët, kompanitë dhe e gjithë ekonomia jonë. Me ndërtimin e seksioneve të korridorit 8 dhe 10-D, Maqedonia e Veriut do të fitojë autostrada evropiane, moderne, me të cilat vendi do të fitojë akoma më shumë rëndësi në transportin rajonal dhe ndërkombëtar”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se vlera e projektit është 1,3 miliard euro, ndërsa gjatësia totale e seksioneve të përfshira në korridoret është 110 kilometra.
Fjalim kishte edhe zv/kryeministri i parë Artan Grubi, i cili u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e "marrëveshjes historike”.
"Në qoftë se në shtetin tonë janë ndërtuar autostrada në të kaluarën mesatarisht prej 5,5 kilometra në vit, me konsorciumin Bechtel-Enka ndërtimi do të jetë nga 22 deri në 25 kilometra në vit, ndërsa kostoja e kilometrit është mesatarisht 12 milionë euro", tha Grubi.