Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor që ndodhi dje në Greqi është rritur në 42.
Në lajmet e Televizionit Shtetëror grek ERT thuhet se 42 persona humbën jetën në aksidentin ku disa vagonë dolën nga shinat dhe vagonët e përparmë u dogjën si pasojë e përplasjes së trenit të pasagjerëve dhe trenit të mallrave në rajonin e Tempit në veri të qytetit të Larisës.
Më tej thuhet se vazhdon trajtimi i 57 personave, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ka pasur vështirësi në njohjen e disa kufomave të nxjerra nga rrënojat gjatë përpjekjeve të kërkim-shpëtimit për shkak të zjarrit që shpërtheu gjatë aksidentit, ndërsa familjet e të zhdukurve kanë dhënë mostra për analizë të ADN-së.
Presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropulu, kryeministri Kiryakos Mitsotakis, ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris, kreu i opozitës kryesore Aleanca e Majtë Radikale (SYRIZA) Aleksis Tsipras dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Nikos Hardalias shkuan në zonën ku ndodhi aksidenti dhe u informuan për situatën.
Qeveria greke ka shpallur tri ditë zie kombëtare pas aksidentit hekurudhor më vdekjeprurës në historinë e vendit.
Në kryeqytetin Athinë dje ka ndodhur një përplasje mes protestuesve dhe policisë lidhur me përplasjen e trenave. Mijëra protestues të cilët u mblodhën para godinës ku ndodhen zyrat e "Hellenic Train" mbanin një tabelë ku shkruhej "Nuk është aksident, është vrasje".
Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës protestuesve të cilët nuk donin të largoheshin nga vendet e tyre. Sot priten protesta në Athinë dhe Selanik.