Në fokusin e takimit të sivjetshëm ishin integrimet evropiane, ndryshimet klimatike dhe shpërngulja e të rinjve.
Jo më larg se vitin 2030 Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të përgatiten për zgjerimin. Kështu konstatuan presidentët e vendeve të rajonit, në kuadër të procesit Bërdo-Brijuni, takimi i të cilëve u mbajt sot në Shkup.
Duke folur nga njëra anë për përmbushjen e kritereve dhe zbatimin e reformave, dhe nga ana tjetër për çështjet e pazgjidhura bilaterale në vendet e rajonit, presidenti Stevo Pendarovski si nikoqir i këtij Samiti theksoi se asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të anëtarësohet në Union nëse insiston në zgjidhjen e plotë të mosmarrëveshjeve të cilat bazohen në histori dhe emocione.
Përveç tjerash presidentët e vendeve pjesëmarrëse në Procesin Bërdo-Brijuni miratuan "Deklaratën e Shkupit".
Teksti thekson "rëndësinë jetike të përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, nevojën për t'u përshtatur me efektet e ndryshimeve klimatike dhe debatin në lidhje me masat për të siguruar vitalitetin e shoqërive duke mbajtur të rinjtë në rajon
Begaj: Integrimi në BE, përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj u shpreh se Integrimi në BE mund të arrihet vetëm nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit rajonal të udhëhequr nga siguria dhe stabiliteti.
“Të inkurajojmë vlerat evropiane, ku të rinjtë tanë të ndihen optimistë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre”, tha Presidenti Begaj.
Presidenti Begaj nisi edhe takimet bilaterale në kuadër të samitit. Ai zhvilloi takim me homologun e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“Së bashku me mikun tim, Presidentin Stevo Pendarovski, vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë një shembull i bashkëpunimit konstruktiv, në interes jo vetëm të përparimit të të dyja vendeve, por të gjithë rajonit”, u shpreh Begaj.
Osmani: Kosova ka një rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit
Nga ana tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, falënderoi presidentët nikoqirë të këtij samiti, Pendarovski, Musar dhe Milanoviq për mirëseardhjen e tyre në fillim të takimit të liderëve të procesit Bërdo-Brijuni.
Ajo vlerësoi se Kosova ka një rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit.
“Kosova ka rol aktiv në formësimin e së ardhmes së rajonit dhe kontribut përmbajtësor për rrugën e përbashkët euro-atlantike”, shkroi ajo shkurt në rrjetet sociale.
Po ashtu edhe Osmani ka realizuar një takim të posaçëm me nikoqirin e Samitit, presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Osmani në këtë takim rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dyja shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike, thuhet në komunikatën për media.
Në këtë kontekst, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.
Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjate në rajon.
Bëhet e ditur se presidentja Osmani e njoftoi homologun Pendarovski lidhur me hapat e ndërmarrë nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar.
Në këtë takim, ndër të tjerash, të dy presidentët theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve të tyre dhe shprehën përkushtimin e ndërsjellë për promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.