Përfaqësuesit e Bosnjë e Hercogovinës nuk janët pajtuar me propozimin e Sllovenisë dhe Kroacisë për deklaratë të përbashkët.     Foto: AA

Përfundoi samiti i Brdo-Brionit në Slloveni, por pa miratimin e deklaratës së përbashkët të presidentëve të rajonit si pasojë e dallimeve të papajtueshme në qëndrime.
Megjithatë dritë e gjelbër iu dha disa konkluzioneve, mes tyre, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe dhënia e statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.
Ndërkohë, u kërkua nga Bashkimi Evropian që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor për krizën energjetike dhe sigurimin e ushqimit.
Dy nikoqirët e samitit, presidentit slloven, Borut Pahor dhe ai kroat, Zoran Milanoviq, në konferencën e përbashkët për media përmenden edhe dialogun Kosovë-Serbi, për çka u kërkua që çështjet e hapura të zgjidhen në mirëbesim.
Derisa presidenti kroat, Milanoviq e tha hapur se Serbia duhet të njeh pavarësinë e Kosovës, ai slloven u shpreh më i rezervuar.
“Fatkeqësisht nuk do të kemi mundësi që të bëjmë miratimin e deklaratës edhe pse kemi bërë hartimin e saj, pasi kishte çështje që na kanë ndarë. Gjatë konferencës që ishin edhe vendimet e përbashkëta, na jepen mundësi neve që t’i miratojmë disa pika si konkluzion”, tha presidenti slloven, Borut Pahor.
I pyetur nga gazetarët se a kanë kërkuar nga Serbia, njohjen e pavarësisë së Kosovës, Pahor tha se dialogu është diskutuar, por askush nuk ka thënë diçka në këtë drejtim.

“Nuk e kemi diskutuar atë çështje, pasi kjo do të ishte përtej asaj pikës që nuk ka kthim. Por e mbështes njohjen e Kosovës, por aktualisht është jo reale nga Serbia për të njohur Kosovën. Ky është mendimi i Vuçiqit dhe gjithë vendit”, theksoi ai.
Mes tjerash, dy presidentët kërkuan nga Bashkimi Evropian që të përshpejtojnë procesin e integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke folur për arsyet e mosmiratimit të deklaratës, Milanoviq tha se ajo nuk është miratuar, sepse Bosnja e Hercegovina nuk pajtohet me propozimin që në dokument të përmendet kushtetuta e popullit në atë vend.
"Propozimi im ishte që në dokument të përmendet kushtetuta e popullit në BeH. Për mua, për ne dhe për shumë njerëz kjo duket si një standard minimal, por disa kolegë nga BeH nuk e dhanë atë. Ishte detyra ime të propozoja por u refuzua në të njëjtin moment dhe kaq. Ne konkluduam se nuk do të shkojmë as në deklaratë, gjetëm diçka të përbashkët", tha Milanoviq.

Gjashtë konkluzionet e arritura


1. Ritheksuam rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se kurrë gjeopolitik.

2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim.

3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën deri në fund të vitit 2022.

4. Ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022.

5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike.

6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe për të hapur çështjet në rajon.

TRT Balkan / agjencitë