Samiti i Procesit të Berlinit i cili mbahet për herë të parë në rajon dhe konkretisht në Tiranë, do të bëjë bashkë sot të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Në agjendën e punimeve të publikuar nga Kryeministria pritet që liderët e vendeve të Ballkanit, të shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së, të fokusohen në dy tema kryesore: 1) Integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE, dhe 2) mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.
Më tej, pritet dhe nënshkrimi i marrëveshjes rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.
Në fund, të gjithë të pranishmit do të marrin pjesë në dy evenimente: përurimi i Kolegjit të Europës në Tiranë dhe në mbrëmje do të marrin pjesë te ceremonia e inaugurimit të Piramidës. Kreu i Qeverisë së Shqipërisë Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga brenda Piramidës, ku sot do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.
Rama shprehet se tryeza e Samitit të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së do të zhvillohet në Piramidën e Diktatorit në Tiranë.
Rama shprehet se në këtë tryezë do të ulen armiqtë e tij të betuar, të cilët e shohin me respekt e me vlerësim gjithnjë e më të lartë Shqipërinë, që sot është gdhirë si Europa e Ballkanit.