Me moton “Një rajon, vizion i përbashkët" gjatë ditës së sotme në Kotor të Malit të Zi u mbajt samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE).
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi sot se “ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital europian”.
Në fjalimin e tij Rama falënderoi komisionerin Varhelyi dhe Komisionin “që ka punuar kaq ngushtë me ne dhe që na ka ofruar një platformë dialogu të mirëfilltë miqësor, një proces, ku si zakonisht kemi dëgjuar, por si pak herë, në mënyrë të pazakontë, edhe Komisioni ka dëgjuar. Është një shembull i pazakontë që tregon se cili mund të jetë rezultati kur të dy palët flasin me njëri-tjetrin dhe e dëgjojnë njëri-tjetrin”.
“Përparimi që kemi shënuar të gjithë ne më vete dhe së bashku gjatë dy muajve e gjysmë të fundit, qysh prej takimit tonë për nisjen e këtij procesi në Shkup, flet vetë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “kemi përgatitur planet individuale të reformave, kemi identifikuar nismat kyçe të cilat do të na sjellin gradualisht më pranë tregut të përbashkët, si dhe më në fund, kemi nisur përgatitjen e tregut të përbashkët rajonal. Jemi gati për ta nisur”.
Kurti: BeH-ja ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para fillimit të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, ka deklaruar se këtë vit po shënojnë 10 vjetorin e Procesit të Berlinit dhe pret që të kenë një bashkëpunim më të mirë që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Para samitit i cili po mbahet në Kotorr të Malit të Zi, Kurti tha se përmendi planin patkoi të Serbisë, i cili kishte për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve, të cilët gjenden strehim në Mal të Zi, ndërsa tash ky shtet po mbledh liderët e rajonit.
Ai po ashtu potencoi pakënaqësitë ndaj Bosnjë e Hercegovinës e cila ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime.
“Ne do të shënojmë 10 vjet të Procesit të Berlinit këtë vit dhe presim që të kemi një bashkëpunim më të mirë, që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast më lejoni të shpreh se jemi të pakënaqur me faktin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, për të cilën kemi rënë dakord 18 vjet më parë”, tha Kurti.
Xhaferi: Punuam intenzivisht në finalizimin e Agjendës tonë reformuese 2024-2027
Në fjalimin e tij, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi se edhe përkundër faktit se Maqedonia e Veriut ishte në periudhë zgjedhore, kanë punuar në mënyrë intensive në finalizimin e Agjendës sonë reformuese 2024-2027.
“Drafti i fundit i Agjendës reformuese, i miratuar nga Qeveria, është ndarë me Komisionin Evropian në fillim të majit. Shpresoj se kjo rrugë e trasuar do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes edhe për Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Xhaferi.
Në Samitin e mbajtur në Kotor të Malit të Zi kanë marrë pjesë edhe liderët tjerë të rajonit, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.