Festimi i 9 janarit si Dita e Republika Sërpskës (RS) tregon mospranim të qartë të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës, sundimit të ligjit dhe mosrespektim të hapur për vendimet dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, tha Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, duke komentuar festimet publike të shpallura më 9 janar në Republika Sërpska të BeH-së.
Ai i kujtoi publikut se Gjykata Kushtetuese e BeH vendosi qartë se 9 janari si Dita e RS është antikushtetuese.
Përfaqësuesi i Lartë theksoi se çdo festë duhet të festohet në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese dhe duhet të respektohet në mënyrë gjithëpërfshirëse, pa diskriminim, për të gjitha segmentet e shoqërisë, duke përfshirë të gjitha kombet përbërëse dhe të gjithë qytetarët e tjerë të BeH-së. Korniza e paqes e Dejtonit kërkon respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, thekson Schmidt.
Ai gjithashtu theksoi se të dy entitetet dhe rajoni i Bërçkos kanë karakter multietnik, prandaj të gjitha festat duhet t'i lidhin njerëzit, jo t'i ndajnë.
"Kjo është gjithashtu në frymën e Kushtetutës së Republikës Sërpska si një entitet i Bosnjë e Hercegovinës. Prosperiteti i Bosnjë e Hercegovinës duhet të ndërtohet mbi bashkëpunimin, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe pajtimin, i cili nga ana tjetër kërkon respektimin e fakteve ligjore. Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq janë të dënuar për krime lufte dhe autorë të gjenocidit, prandaj quhen kriminelë e jo heronj. Kërkoj nga të gjithë zyrtarët publikë ta respektojnë këtë dhe të kthehen në një të ardhme të përbashkët. Marrëveshja e Paqes së Dejtonit hodhi themelet për zhvillimin paqësor dhe duhet të jetë i respektuar”, shtoi përfaqësuesi i lartë.