Autoritetet serbe kanë refuzuar vizitën e Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Luginën e Preshevës. Lajmin e publikoi vetë Sveçla në rrjetet sociale, duke potencuar se është njoftuar nga zyrtari ndërlidhës i Kosovës në Beograd se vizita është refuzuar pa asnjë arsye apo shpjegim.
“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”, thekson Sveçla.
Ai njoftoi se i ka njoftuar autoritetet serbe për vizitën, siç parashikon marrëveshja e Brukselit. Sveçla kishte marrë ftesë nga Nevzad Lutfiu, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ndërsa parashikonte edhe takim me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin.
Ministri i Brendshëm i Kosovës thotë se “do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve” kur bëhet fjalë për vizitat e zyrtarëve shtetërorë në të ardhmen.
Ai tha se ky refuzim nuk do të zbehë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës.