Në Shqipëri vazhdojnë protestat për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", ndërkohë edhe protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe incidente.
Protesta është organizuar përsëri me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë së Lirisë, si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe aktivistëve, me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Edhe protesta e sotme e organizuar para selisë së Bashkisë së Tiranës u përfshi nga tensionet dhe incidentet, pasi disa nga protestuesit dogjën goma, hodhën tymuese dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, si dhe u përplasën me forcat e policisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë të Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, në fjalën e tij gjatë protestës u shpreh se protesta e sotme është e dhjeta me radhë, sipas tij, për dinjitetin njerëzor.
"Sot protestojmë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Kjo nuk është betejë për një interes të ngushtë politik, por kjo është një betejë për interesin qytetar. Kjo është një betejë për dinjitetin njerëzor", u shpreh Blushi.
Disa nga pjesëmarrësit në protestë dhe aktivistët në fjalimet e tyre kanë theksuar se "do të vazhdojmë të rezistojmë", duke paralajmëruar vazhdimin e protestave. Sipas tyre, do të protestojnë me të gjitha mjetet demokratike.
Ndërkohë, edhe gjatë protestës së sotme u angazhuan dhjetëra forca policore shtesë, si dhe u bllokuan disa akse rrugore për qarkullimin e automjeteve, ndërsa disa nga protestuesit kanë pretenduar se në drejtim të tyre janë hedhur tymuese.
Në javët e fundit në Shqipëri janë organizuar protesta për të "denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës", duke u shoqëruar edhe me tensione dhe incidente.
Protestat organizohen pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive".