Favorizuar nga moti me diell, zgjatja e sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës shtoi fluksin e vizitorëve të huaj në vendin tonë edhe në muajin shtator.
Favorizuar nga moti me diell, zgjatja e sezonit turistik përtej muajve tradicionalë të verës shtoi fluksin e vizitorëve të huaj në vendin tonë edhe në muajin shtator.
Të dhënat e INSTAT-it bënë të ditur se në shtator në Shqipëri kanë hyrë 1,1 milion shtetas të huaj, me një rritje prej 45% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Bazuar në të dhënat statistikore, ky është niveli më i lartë i hyrjeve të të huajve të regjistruar ndonjëherë në këtë muaj.
Edhe për periudhën janar-shtator, shifrat tregojnë një rekord historik. Në vend kanë hyrë gjithsej 8,3 milionë shtetas të huaj, që është një shifër 29% më e lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sipas njoftimit të INSTAT-it, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin shtator 2023, janë 1.651.151. Ky tregues rezulton me një rritje 36,6%, krahasuar me shtator 2022.
Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit shtator 2023, janë 1.714.585, duke shënuar një rritje me 25%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në shtator 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 546.961. Ky numër është rritur me 22,3%, krahasuar me shtator 2022.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.104.190. Ky numër është rritur me 45,0%, krahasuar me shtator 2022, raporton ATSh-ja, transmeton KosovaPress.
Gjatë 9-mujorit 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 8.294.600. Ky numër është rritur me 29%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.