Autoritetet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) vendosën sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë të Bosnjë e Hercegovinës entiteti i Republika Sërpska te Nenad Stevandiq, Radovan Vishkoviq, Zhelka Cvijanoviq dhe Millosh Bukejloviq.
Zyra e Departamentit të Thesarit të ShBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) vendosi sanksione ndaj zyrtarëve të lartpërmendur nga Republika Sërpska për veprime jokushtetuese dhe kundër Marrëveshjes së Dejtonit.
"Këta udhëheqës janë drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e miratimit të një ligji për Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska, i cili shpall vendimet e Gjykatës Kushtetuese të BeH (KS BeH) të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe kërcënuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Vetë ky veprim kërcënon stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës dhe paqen e fituar me vështirësi në bazë të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit", thuhet në faqen e internetit të OFAC-it.
OFAC-i sqaroi se kryetari i NSRS-së, Nenad Stevandiq, publikisht bëri thirrje për miratimin e Ligjit për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe thirri një seancë ku votoi pro këtij ligji. Nënshkrimi i tij dhe vula e kryetarit gjenden poshtë tekstit të Vendimit.
Kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, ka promovuar edhe Ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, duke e cilësuar atë si përgjigje legjitime ndaj Gjykatës Kushtetuese të BeH-së. Si zyrtar, Vishkoviq dënoi publikisht Gjykatën Kushtetuese të BeH-së për vendimet e miratuara së fundmi që ai i konsideronte të pafavorshme për RS-në.
Edhe anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së, Zhelka Cvijanoviq, para miratimit të ligjit është takuar me presidentin e RS-së, Millorad Dodik, dhe ka konfirmuar pajtimin e saj absolut me të për vendimet e ardhshme. Cvijanoviq i mbrojti publikisht veprimet e saj pas miratimit të Ligjit për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së. Më 11 prill 2022 ajo u përfshi në listën e personave të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar për cenimin e legjitimitetit dhe funksionalitetit të Bosnjës e Hercegovinës.
Si Ministër i Drejtësisë i RS-së, Millosh Bukejloviq është gjithashtu përgjegjës për hartimin e Ligjit për mosekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës. Bukejloviqi e mbështeti ligjin në prezantimin e tij para Asamblesë Kombëtare të RS-së, duke i kërkuar që ta miratonte ligjin për të treguar "unitetin" e RS-së.
Aktivitetet e OFAC-it sot u drejtohen ekskluzivisht këtyre katër individëve dhe jo institucioneve ose posteve qeveritare që ata përfaqësojnë dhe mbajnë.