Shënohet 50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (1972-2022).     Foto: AA

Nën organizimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Shqipërisë dhe Kosovës sot në Tiranë u shënua 50-të vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit (1972) të gjuhës shqipes. Në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj tha se Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe ishte një ngjarje kulmore në historinë kombëtare.

"Nevoja për të realizuar një gjuhë standarde ka qenë po aq organike sa edhe nevoja për ngritjen e shtetit dhe të arsimimit kombëtar. Kongresi i Drejtshkrimit mbetet një prej atyre zhvillimeve në të cilën aspekti kombëtar fitoi mbi atë ideologjik, një zhvillim i rëndësishëm për rrugëtimin e gjuhës shqipe moderne dhe unifikimin e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e diasporë", tha Begaj.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu mirënjohjen ndaj intelektualëve e firmëtarëve të Kongresit, të cilët iu futën punës me bindjen se kombi është një, prandaj edhe gjuha duhej kodifikuar në një standard.

“Imagjinoni sot sikur tranzicionit shqiptar t’i shtoheshin dhe dialektet dhe ne mos të kishim një gjuhë të njehsuar. Kongresit nuk mund t’i çlegjitimohet puna vetëm pse u zhvillua nën regjimin komunist. Kundërshtarët e rrezikshëm të Kongresit të Drejtshkrimit që janë edhe injorantët më të mëdhenj, nuk kanë së pari kulturën e gjuhës”, tha ai.

Kryeministri theksoi se nuk mund të hidhet poshtë puna kolosale që Kongresi bëri për gjuhën shqipe, vetëm pse u mbajt nën regjimin komunist.

“Ne sot nuk do të kishim dot një abetare, do t’i kishim si ato tekstet alternative që solli demokracia ku diku data e Çlirimit është 28 nëntor, diku tjetër 29 nëntor”, tha Rama. Një fjalë përshëndetëse në konferencë mbajti edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, i cili theksoi se konferenca i kushtohet një ngjarjeje kyçe në historinë e kulturës kombëtare shqiptare.

"Kjo ngjarje e madhe historike ishte produkt i përgatitjes disa vjeçare, me pjesëmarrjen dhe kontributin e gjithë intelektualëve, veçanërisht të gjymëtarëve", tha Gjinushi.

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, si dhe drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt më 20-25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë.

TRT Balkan / agjencitë