Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nën moton “Lajmëtar i Lirisë”, ka mbajtur akademi solemne me rastin e shënimit të 8 Shtatorit - Ditës së Pavarësisë.
Manifestimi, i cili u mbajt në sallën e Filarmonisë në Shkup, filloi me intonimin e himnit shtetëror.
Në këtë akademi solemne, përveç kryeministrit Dimitar Kovaçevski, morën pjesë ministra nga kabineti, deputetë të Kuvendit, politikanë, diplomatë të shumtë në vend, përfaqësues nga ushtria, si dhe mysafirë të tjerë të ftuar.
Kovaçevski, në fjalimin e tij, duke kujtuar se 32 vjet më parë vendi u bë shtet i pavarur, tha: “Tridhjetë e dy vjet më vonë, para nesh është zëri i qytetarëve në përcaktimin e shumicës prej 80 për qind për jetë në Evropë, në Bashkimin Evropian, por në Republikën amtare të Maqedonisë së Veriut”.
“Sfida është një shans për të bërë më të mirën tonë dhe ne kemi atë shans unik për përparim që lidhet drejtpërdrejt me integrimin tonë në BE tani. Ne jemi në një kontekst unik kur për shkak të mundësive gjeopolitike dhe nevojës për të siguruar stabilitetin e kontinentit evropian, ne jemi të nevojshëm për BE-në dhe bashkësinë demokratike ndërkombëtare, ashtu siç ata na nevojiten neve”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, kjo mundësi vjen në një kohë kur Maqedonia e Veriut është një vend i etabluar ndërkombëtarisht.
“Një vend që me siguri është në rrugën drejt BE-së, me kufij të siguruar, me gjuhë dhe identitet maqedonas të njohur, një vend që është një shembull i një demokracie të suksesshme multietnike, e cila kontribuon në paqen rajonale dhe evropiane, si një shtet i lirë dhe sovran, anëtar i NATO-s, një vend që me siguri do të hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Kovaçevski.
Në kuadër të akademisë solemne, fjalime mbajtën disa profesorë, të cilët informuan për historinë e shtetit maqedonas, gjuhën maqedonase, kombin maqedonas dhe identitetin maqedonas, si dhe u shfaqën materiale dokumentare për shtetin.