Me organizimin e një tryeze të rrumbullakët me moton "Të veprosh më shumë për shëndetin mendor", është hapur në Prishtinë Java Evropiane e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor.
Java e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, e cila do të shënohet me aktivitete të ndryshme deri më 19 maj do të ketë në qendër të vëmendjes tematikën "Të bëjmë më shumë për shëndetin tonë mendor".
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, i cili mori pjesë në këtë tryezë bashkë me psikologë klinikë dhe të ftuar të tjerë, tha se ende fatkeqësisht njerëzit hezitojnë të kërkojnë ndihmë apo të flasin hapur për shëndetin mendor qoftë me të afërmit apo miqtë nga frika se mos paragjykohen dhe përballen me reagime të ndryshme.
"Prandaj, është detyrë e të gjithë neve pa përjashtim, që së pari ne të edukohemi, por edhe të edukojmë në përpjekjet tona të përbashkëta kundër këtij fenomeni. Shëndeti mendor është qenësor, ashtu siç kërkon trajtim mjekësor çdo pjesë tjetër e shëndetit. Dhe, është thelbësore të kërkojmë trajtim për mirëqenien tonë emocionale dhe psikologjike", theksoi Vitia.
Në këtë tryezë do të diskutohet për nevojën urgjente për të rritur të kuptuarit e publikut dhe politikëbërësve për shëndetin mendor, ndikimin në institucione për të pranuar nevojën urgjente për angazhim dhe veprim për shëndetin mendor e tema të tjera.
Java e Ndërgjegjësimit mbi Shëndetin Mendor, është një mundësi për individë nga e gjithë Evropa dhe më gjerë, që të përfshihen në diskutime rreth aspekteve të ndryshme të kësaj çështje, të ndajnë histori personale të përballjes me sfidat gjatë kohëve të krizës dhe në përgjithësi, të theksojnë nevojën për veprim për të luftuar stigmën, diskriminimin, përjashtimin dhe mbrojtjen për një shëndet të mirë mendor për të gjithë.