Rreziku nga zjarret masive gjatë sezonit të verës, por edhe emergjencat e tjera lidhur me motin nxjerrin sërish zjarrfikësit në plan të parë.
Heronjtë e heshtur të shoqërisë shpesh përballen me probleme themelore funksionimi në vendet e rajonit. Që nga kushtet, paga e ulët, mungesa e mjeteve bashkëkohore dhe trajnimeve adekuate. Por, një problem tjetër është edhe mungesa e ekipimit të njësive zjarrfikëse.
TRT Balkan ju sjell një pasqyrë të numrit aktual të zjarrfikësve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, krahasuar edhe me vendet e Bashkimit Evropian.
Vakanca në ekipet zjarrfikëse të rajonit
Një pjesë e madhe e njësiteve zjarrfikëse në vendet e rajonit janë të pakompletuara. Numri i tyre mbetet i vogël në krahasim me territorin dhe popullsinë për të cilën kujdesen.
Sipas të dhënave publike, në Shqipëri ka pak mbi 1 mijë zjarrfikës në total në gjithë shtetin.
Në Maqedoninë e Veriut ka 994 zjarrfikës, ndërsa për ekipimin e plotë të njësiteve zjarrfikëse duhet punësuar edhe mbi 500 të tjerë, vende të cilat mbeten vakante.
Në Kosovë raportohet për rreth 800 zjarrfikës gjithsej në nivel vendi.
Rajoni më poshtë se BE-ja proporcionalisht
Mungesa e zjarrfikësve gjen shprehjen sidomos kur numrat shikohen në raport me numrin e përgjithshëm të të punësuarve. Për shembull, në Shqipëri, nga të gjithë të punësuarit në vend vetëm 0,10% janë punësuar si zjarrfikës.
Në Maqedoninë e Veriut zjarrfikësit përbëjnë 0,12% të të punësuarve.
Pak më lart në këtë raport është Kosova, ku zjarrfikësit përbëjnë 0,19% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.
Në Bashkimin Evropian, zjarrfikësit përbëjnë 0,20% të të punësuarve në 27 shtetet mesatarisht.
Mbi 360 mijë zjarrfikës ka në gjithë BE-në, ndërsa raporti me numrin e përgjithshëm të të punësuarve është më i lartë në Greqi dhe Estoni, ku kalon 0,40%.