Shqipëria vazhdon të ballafaqohet me situatën e zjarreve në vend.
Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave në AKMC, në ministrinë e Mbrojtjes, Robert Hysenllari, sot ka informuar se brenda 24 orëve sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, janë raportuar 27 vatra zjarri, nga të cilat 20 janë shuar dhe 7 tjera kanë mbetur aktive.
“Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave", tha drejtori Hysenllari.
Mes tjerash ai njoftoi se në aksionet për shuarjen e flakëve gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 411 forca operacionale te Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, Shërbimi Pyjor, forca vullnetare, 31 mjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter Cougar, i cili ka operuar në vendin e quajtur “Liqeni i Zi German”, Bashkia Mat dhe në fshatin Shetaj, bashkia Durrës.
Sipas Hysenllarit aktualisht janë aktive vatrat në njësinë administrative Postribë, Bashkia Shkodër.
Gjatë korrikut shuhen 360 vatra zjarri
Ministria e Mbrojtjes së fundmi ka njoftuar se gjatë muajit korrik, janë shuar në të gjithë territorin e vendit 361 vatra zjarri.
Sipas tyre, Forcat Operacionale, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile u janë përgjigjur në kohë të shpejtë të gjitha thirrjeve për ndërhyrje, duke shmangur pasoja më të rënda në mjaft prej këtyre zjarreve të ndezura”.
“Në një pjesë të operacioneve është dashur edhe ndërhyrja nga ajri, e cila ka qenë e menjëhershme. Shqipëria i është drejtuar Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, në kuadër të të cilit pala greke i është përgjigjur në kohë rekord, me avionë për shuarjen e zjarreve në ishullin e Sazanit, bashkinë e Dropullit apo edhe në Finiq”, thuhet në njoftimin e për shtyp të Ministrisë.